Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës, një instalacion ngërthyes skultpuror nga Doruntina Kastrati dhe kuruar nga Erëmirë Krasniqi.

Kjo është hera e parë që Pavijoni i Kosovës ka zgjedhur të prezantojë një projekt që trajton çështjet e grave në ekonomitë e parregulluara. Në bashkëvajtje me temën e Ekspozitës së 60-të Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia, e cila përqendrohet tek ndjenja e së huajës brenda vetvetes dhe si gjendje e krijuar si pasojë e pabarazisë, përjashtimit dhe krizave botërore, Pavijoni i Kosovës do ta adresojë çështjen e punës së feminizuar përbrenda kontekstit të ekonomive të parregulluara. Instalacioni i Doruntina Kastratit do të krijojë një gjuhë për përvojën e tëhuajtjes së grave në kontekstin e prodhimit, gjë që ka për kontekst më të gjerë një shoqëri që ende i formëson narracionet e veta kombëtare, historike dhe kulturore përmes një objektivi patriarkal.

Nisur nga konteksti i saj i afërt dhe mirë i njohur, përvoja e nënës së saj në fabrikën e prodhimit të ëmbëlsirave, me të cilën Kastrati kishte komunikuar pothuajse vetëm përmes shënimeve që ajo ia kishte lënë çdo ditë në një copë letër ku përshkruheshin detyrat dhe obligimet e ditës, projekti i saj, Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës sjell në publik rrëfimet e nënës së saj dhe të grave të tjera, të cilat punojnë në margjinat e shoqërisë. Puna në fabrikë është e përsëritur dhe kryhet vetëm në këmbë. Në këtë linjë pune, afër një e treta e grave i nënshtrohen operacionit të zëvendësimit të gjurit. Objektet metalike të implantuara në gjunjë në mënyrë kirurgjikale janë gjurmë materiale të orëve të gjata të punës që japin pak pagë. Me synimin për të nxitur reflektim se pse dhe si këto praktika shfrytëzuese në vendin e punës kanë mbetur të pashqyrtuara, Kastrati do ta bëjë këtë në mënyrë abstrakte, duke theksuar karakteristikat e mishëruara të materialeve, veçanërisht atë të metalit. Kjo vepër shoqërohet me zë.

 

Ekspozitat Ndërkombëtare të Artit dhe të Arkitekturës — La Biennale di Venezia janë dy nga platformat më të rëndësishme të artit dhe arkitekturës bashkëkohore në botë. Ato ndërkëmbehen çdo vit, janë të hapura për publikun nga prilli deri në nëntor dhe vizitohen nga 800.000 njerëz për çdo edicion.

Republika e Kosovës merr pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia me pavijon kombëtar që nga viti 2013. Përfaqësimet e mëhershme kanë qenë paraqitje solo të veprave nga Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015), Sislej Xhafa (2017), Alban Muja (2019) dhe Jakup Ferri (2022). Brenda dhjetë vjetësh, Kosova është përfaqësuar me sukses përmes projekteve që janë marrë me politikat e identitetit, Luftën e Kosovës, personat e zhdukur dhe me mënyrën se si këto përvoja janë mediatizuar. Të gjitha këto projekte kanë rezonuar me njëra-tjetrën dhe vazhdojnë të kenë rëndësi të madhe për thurjen e narracioneve kolektive. Duke vijuar krahas kësaj pëvoje, projekti i Doruntina Kastratit adreson gjendjen e tëhuajtjes përmes hetimit të kundërhistorive, narracioneve në vetën e parë dhe përvojave të grupeve të margjinalizuara.

Pavijoni i Kosovës gjendet në Museo Storico Navale della Marina Militare (Riva S. Biasio, 2148, 30122 Venezia)

Pavijoni i Kosovës në Ekspozitën e 60-të Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia ka për komisionere kuratoren e Galerisë Kombëtare të Kosovës Hana Halilaj dhe organizohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

 

 

Doruntina Kastrati është artiste pamore që vepron në Prishtinë. Praktika e saj artistike përfshin skulpturën, instalacionin dhe imazhet lëvizëse. Në vitin 2014 është shpërblyer me çmimin për Artistët e së Nesërmes nga Galeria Kombëtare e Kosovës. Në vitin 2017 ka fituar çmimin Hajde x 6 nga Fondacioni Hajde. Kastrati ka qenë artiste në rezidencë në International Studio and Curatorial Program (ISCP) në Nju-Jork në vitin 2015; në Art House në Shkodër në vitin 2018 dhe në Initiators në Athinë në vitin 2018. Veprat e saj janë ekspozuar së fundi në Eugster Belgrade, (2023); në Manifesta 14, Prishtinë (2022); në Muzeun Hessel, Nju-Jork, (2022); në ETH, Cyrih (2022); në ChertLüdde, Berlin (2021), në Autostrada Biennale, Prizren (2021); në Muzeun MAXXI, Romë (2021); në Kadist Foundation, Paris dhe në Kunstverein Hamburg, Hamburg (2021-2022); në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë (2020); dhe në Muzeun Kombëtar të Kosovës (2020), përveç të tjerash.

Erëmirë Krasniqi është kritike e artit, kuratore dhe hulumtuese që vepron në Prishtinë. Krasniqi ka mbaruar studimet master në Kolegjin Dartmouth, ndërsa studimet themelore i ka kryer në Kolegjin Bard në Berlin. Si kuratore e pavarur, ajo ka drejtuar dhe kuruar projekte për Galerinë Kombëtare të Kosovës, Galerinë Kombëtare të Arteve në Shqipëri dhe Edicionin e 39-të të EVA International në Limerik të Irlandës. Praktika e saj kuratoriale dhe hulumtuese ndërthuret me arkivat, historinë gojore dhe fabulimet kritike për të përfillur dhe për të korrigjuar mangësitë në regjistrat historikë. Interesat e saj kërkimorë luhaten mes historive të artit modern socialist dhe të shprehurit lokal që kontribuon për sfidimin e narrativave dominante historike. Prej vitit 2017 deri në vitin 2024 Krasniqi ka qenë drejtore ekzekutive e Iniciativës për Histori Gojore, një burim digjital që ndërvepron me forma të reja të prodhimit kulturor dhe që mbështet dhe avokon për punën e pazëvendësueshme të arkivave mediatikë.

Hapja e Pavijonit e Kosovës për mediat: 18 prill 2024, ora 14:00.

Hapja zyrtare e Pavijonit të Kosovës: 18 prill 2024, ora 15:00.

Oraret dhe akcesi në Ekspozitën e 60-të Ndërkombëtare e Artit — La Biennale di Venezia:

E martë, 16 prill (vetëm personat e akredituar nga shtypi)
E mërkurë, 17 prill (vetëm personat me ftesë të veçantë)
E enjte, 18 prill (vetëm personat me ftesë të veçantë)
E premte, 19 prill (vetëm personat me ftesë të veçantë)

Museo Storico Navale della Marina Militare
Riva S. Biasio, 2148,
30122 Venezia VE, Italy

Media:
Zaida Violan, Bureau N, International Press and PR, [email protected] 

Rina Meta, Communications Coordinator, [email protected]

——

Në qoftë se botoni për ne, ju lutem na dërgoni një kopje fizike në këtë adresë:

Galeria Kombëtare e Kosovës
Str. Agim Ramadani, no.360
10000 Prishtinë, Kosovo
drejtuar Pavijonit të Republikës së Kosovës
20 prill–24 nëntor, 2024

——

Ju lutem mos harroni të na bëni tag dhe mention në Instagram dhe Facebook.

 
Return to top